I shoqëruar nga qindra fëmijë ditën që ndaj tij pati sërish një protestë, Erion Veliaj ritheksoi se nuk do të tërhiqet nga projekti i parkut të lojrave për të vegjël, porse ftoi protestuesit të vëzhgojnë procesin hap pas hapi.
“Nëse kanë dyshime, jam gati që sot që të lidh një kontratë me ta që t’i mbikqyrin ata punimet e parkut. Të jenë aty çdo ditë. Siç është mbikqyrësi teknik, të jetë edhe mbikqyrësi i Shoqërisë Civile. Ofertë më të sinqertë se kjo, nuk ka”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se monitorimi mund të shtrihet deri tek regjistrimi i çdo peme ekzistuese në sipërfaqen ku do të shtrihet projekti: “Nëse kanë dyshim për prerje pemësh, le të vijnë dhe të matrikulojnë çdo pemë. Në datën 1 qershor, kur të hapet këndi i lodrave, të verifikojnë nëse janë aty të gjitha pemët”.
Qytetarë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile kanë kundërshtuar sërish projektin e bashkisë, duke marshuar nga parku “Rinia” në drejtim të kodrave të liqenit. Ndryshe nga një javë më parë, hyrja e tyre brenda zonës së rrethuar ku është parashikuar ndërtimi i parkut të lojrave nuk ka shënuar asnjë incident, pavarësisht pranisë së forcave të policisë.
Top Channel