Këshilltarët e PD: Të mblidhet urgjentisht Këshilli Bashkiak

28/02/2016 14:00

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kërkuan të dielën mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak duke deklaruar se paketa fiskale e Erion Veliajt është e paligjshme. Gjithashtu, këshilltarët demokratë theksuan edhe një herë propozimin e bërë tashmë nga përfaqësuesit e PD-së për uljen e taksave, heqjen e taksës anti-kushtetuese për arsimin dhe heqjen e disa tarifave të vendosura nga Erion Veliaj, që rrënojnë biznesin e vogël dhe ekononimë familjare në Tiranë.

“Nga takimet që kemi pasur me bizneset, kemi konstatuar dy probleme shumë të mëdha. E para është që atyre u është disafishuar faturimi për hapësirën publike e cila në të gjitha rastet është një vlerë shumë e madhe që e tejkalon madje edhe fitimin e tyre mujor. Shikojmë një irracionalitet, një gjobvënie të Bashkisë së Tiranës ndaj bizneseve. Në raste të tjera shikojmë që sektorë të bashkisë në mënyrë selektive përdorin tarifimin. Pra ndarja në zona A, B, C, D nuk është një ndarje që qendron strikte por është një ndarje që keqpërdoret sipas preferencave të inspektorëve. Biznesi është i depresuar dhe e ndjen veten në prag të falimentimit. Të gjithë janë të mërzitur dhe nuk duhet të harrojmë që biznesi është motorri i kësaj shoqërie. Biznesi i Tiranës po ha goditjen e dytë pas asaj që Edi Rama i ka bërë dy vite rresht”, tha Reila Bozdo.

“Ne sot jemi përpara një fakti të kryer kur bizneset janë gjunjëzuar në mungesën e plotë të transparencës. Ajo që ne u përpoqëm t’u përcillnim të gjithë grupeve të interesit në ato pak ditë që na u lanë në dispozicion ishte e pamjaftueshme dhe siç e kuptoni sot jemi para faktit që këto taksa jo vetëm nuk janë konsultuar siç e kërkon ligji, jo vetëm u kaluan në formën me abuzive me qëllimin e vetëm mbushjen e arkës së bashkisë duke mohuar çdo interes apo mundësie praktike të bizneseve, dhe kjo ka qënë arsyeja kryesore që ne përtej paketave që kemi paraqitur kërkuam gjykimin e kësaj çështje ne gjykimin administrativ sepse është Paketë Fiskale që ka kaluar në formë të paligjshme. Siç e keni dëgjuar nga deklaratat, kjo paketë nuk mund të hynte në fuqi para datës 1 mars. Pavarësisht kësaj ne kemi një qendrim konstant në këtë çështje. E kemi ngritur edhe para se biznesi të njihej realisht me faturat gjunjëzuese e vrastare të cilat po ndrydhin iniciativën e lirë, po ndryshin shpirtin e një shoqërie të bazuar në vlerat e një shoqërie perëndimore, dhe për këtë arsye të gjithë së bashku kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak. Paketa Fiskale miratohet dhe konsultohet  vetëm nga Këshilli Bashkiak. Të gjitha elementët e tjerë mund të bëhen transparentë e publik dhe jo në negociata thjeshtë në grupet e interesit në zyrën e kryetarit të Bashkisë por kjo mund të bëhet fare mirë duke mbledhur sa më parë mbledhjen e Këshillit me transparencë publike ku përtej propozimeve që ne kemi çuar për ulje me 30 % të të gjitha taksave, heqjen e taksës së infrastrukturës arsimore si një taksë antikushtetuese, kthimin e tarifave të tjera në nivelet e mëparshme dhe heqjen e 16 tarifave të tjera të cilat janë totalisht të pabazuara në ligj. Nuk po ofrojnë shërbime por janë detyrime të Bashkisë së Tiranës. Kemi çuar propozimet dhe kërkojmë thirrjen e menjëhershme. Pavarësisht protestave të grupeve të interesit të bizneseve kryetari i Bashkisë nuk ka bërë ansjë përçapje për tu konsultuar me ta. Nuk i dha kohë këshillit Bashkiak që të konsultonte në kohë dhe sipas ligjit Paketën Fiskale dhe buxhetin dhe tashmë jemi përpara këtij faktit të kryer i cili zgjidhet vetëm me mbledhjen e menjëhershme të Këshillit Bashkiak dhe pjesëmarrjen e grupeve të interesit për ta diskutuar në transparencë të plotë paketën. Propozimet tona janë konkrete dhe unë besoj se anëtarët e këshillit të të gjitha grupeve duhet të jenë njohur me këtë paketë por edhe nëse jo thirrja e një mbledhje dhe dhënia e më shumë ditëve afat për tu konsultuar me anëtarët dhe grupet e interesit, do të ishte zgjidhja me racionale dhe e drejtë dhe do të tregonte kurajon për të pranuar gafën e madhe që është bërë me biznesin”, tha kreu i këshilltarëve, Olli.

Top Channel