Duma takon banorët e Torovicës në Lezhë

28/02/2016 17:45

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, zgjodhi Torovicën për të denoncuar atë që e quan harresë të Qeverisë ndaj një zone me 5 mijë banorë, ku mungon rruga dhe uji i pijshëm.

“Të vjen keq që njerëzit thonë të jetë së paku si në vitet 90  me një rrugë, me një ujësjellës, me një shkollë dhe jo me mijëra hektarë të mbjella me punë krahu, djerse dhe gjaku e që nuk bëhet fjalë për bujqësi me subvencione, impute e naftë pa akcizë sepse keto nuk njihen këtu. Më e keqja është që këta qytetarë as që i pretendojnë më këto. Pretendojnë për ujin e pijshëm se shkojnë në Lezhë me bidona dhe paguajnë transportin. Një problem i madh janë edhe dritat’, tha në takim me banorët Grida Duma.

Ndërkohë, banorët janë ankuar për mungesën e dëmshpërblimit për përmbytjet e fundit, ndërsa Duma u ndal edhe tek decentralizimi dhe ndarja e re administrativo-territoriale.

“Është bërë një reklamë e madhe që do ketë decentralizim të pushtetit vendor por në fakt nuk po ndodh nga pikëpamja financiare. U bë reklama vetëm për të ndarë territoret politikisht por kur vjen puna tek financat, buxheti dhe tek ajo që njerëzit prekin nuk bëhet fjalë që kryetarët e bashkive të kenë atë akses që duhet të kishin sepse edhe territoret i kanë shumë më të mëdha. Megjithatë, pas këtyre takimeve së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike të Lezhës dhe kryetarin e Bashkisë të vendosim disa piketa që të buxhetohen”, u shpreh Sekretarja e PD.

Top Channel