Tiranë, protestë e tregtarëve kundër taksave të Bashkisë

27/02/2016 16:20

Qindra tregtare dhe pronarë të bizneseve të vogla të Tiranës, protestuan përpara godinës së Bashkisë për të kërkuar uljen e taksave të miratuara në mbledhjen e fundit të 2015 nga Këshilli Bashkiak.

Protesta e dytë në pak ditë kundër disa taksave për këtë kategori biznesi, mblodhi kryesisht pronarë të bareve e lokaleve në Tiranë.

Biznesi i vogël pretendon se 3 taksa të miratuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak janë të papërballueshme për ta. Konkretisht, sipas nivelit të xhiros, bizneset e vogla janë listuar ne grupin e aktiviteteve që duhet paguajnë taksën e përkohshme për arsimin, atë të shfrytëzimit të hapësirave publike dhe taksën për reklamimin e aktivitetit të tyre. 

 Çfarë kundërshtojnë tregtarët:

Taksë e përkohshme për arsimin                                       4000-27000 lekë/vit
Taksë për vendosje tavolinash në hapësira publike             2500-12000 lekë /vit
Taksë për reklamimin e biznesit/tabelë                              31500-90000 lekë/vit

Ndërsa zhvillohej protesta përpara bashkisë, kryetari Veliaj foli për mediat duke theksuar se tatimi i biznesit të vogël është zeruar, ndërsa ato për të cilat tregtarët protestojnë i cilësoi një detyrim që tregtarët duhet t’ua paguajnë qytetarëve për hapësirat e përbashkëta.

“Kur dy drejtorë të Sali Berishës që drejtonin punët e naftës në këtë vend, organizojnë protestën e tregtarëve të vegjël, kjo vjen pak erë. Gjithë veprimtaria dhe aktiviteti tregtar brenda ambientit të vet është zero, në momentin që del jashtë lokalit, kjo është një hapësirë publike. Pyetja që unë kam është kjo: lokalet punojnë, gjersa nxjerrin fitim mbi hapësirën publike, t’ja paguajnë publikut”, tha kreu i Bashkisë.

Top Channel