Këndi i lojrave, Veliaj: Ftoj shoqërinë civile të mbikëqyrë projektin

27/02/2016 00:00

Në kulmin e debatit për ndërtimin e këndit të lojrave tek Parku i Liqenit artificial në Tiranë, kreu i bashkisë Erion Veliaj priti në një takim përfaqësues të shoqërisë civile, të cilëve u prezantoi projektin konkret.

Për të hedhur poshtë çdo dyshim të shoqërisë civile, Veliaj ftoi aktorët e saj që të bëhet pjesë e mbikëqyrjes së projektit bashkë me zbatuesit e projektit.

“Të bëjmë një grup të përbashkët të shoqërisë civile dhe t’i ndjekin punimet aty, çdo ditë. Nëse doni e bëjmë edhe me pagesë, që një përfaqësues i shoqërisë civile të paguhet, bashkë me atë të shtetit”, deklaroi Veliaj.

Gjatë dëgjesës me shoqërinë civile, ku nuk u bënë pjesë të gjitha organizatat që protestuan ditë më parë, Veliaj tha se skepticizmi ndaj projektit është i drejtë, sepse zona përreth parkut është dëmtuar nga lejet e ndërtimit që janë dhënë në të shkuarën.

Ndërkohë, grupi për mbrojtjen e Parkut të Liqenit, në një reagim, bën me dije se do të vijojë ta kundërshtojë projektin.

Janë 9 aspekte të ndryshme për të cilat qytetarët e Tiranës duhet, sipas tyre, që ta kundërshtojnë ndërtimin e këndit të lojrave, ndër të cilat: mungesa e një raporti për dëmin që do t’i bëhet mjedisit, ulja e pastrimit të gazrave helmues, stimulimi i zhdukjes së disa specieve të faunës dhe shpenzimi i një fondi të madh që mund të përdorej për të ndihmuar infrastrukturën e shumë lagjeve në Tiranë.

Të dielën, grupi për mbrojtjen e parkut fton qytetarët për të marshuar drejt kodrave të liqenit, ku do të mbjellin pemë.

Top Channel