Greva e avokatëve, Manjani premton ndërmjetësim

25/02/2016 16:00

Salla të boshatisura, gjyqtarë që thërrasin palët e mandej kthehen në zyra. Kjo është situata në ditën e dytë të bojkotit të proceseve nga avokatët, mungesa e të cilëve ka paralizuar sistemin e drejtësisë.

“Kisha një proces civil sot. Shkova në gjykatë, por s’u paraqit avokati”, thotë një qytetar.

“Sot kam ardhur në gjykatë për të dorëzuar kërkesat për shtyrje”, shprehet një avokat.

Të vetmet gjyqe që janë zhvilluar kanë lidhje me masat e sigurisë personale, ku avokatët kanë qenë të pranishëm. “Prania ime në masën e sigurimit është e domosdoshme, pasi nuk mund t’i braktisim njerëzit”, thotë një avokate.

Ndërsa kjo panoramë është në të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje edhe në Gjykatën e Lartë, ku për këtë shkak u shty seanca e parë kundër ish-deputetit Mark Frroku, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një intervistë për Top Channel bën apel për dialog dhe ofrohet për të ndërmjetësuar me Ministrinë e Financave.

“Nuk mendoj se është bojkoti mënyra e komunikimit, përkundrazi bisedimet dhe dialogu janë mënyra e duhur e komunikimit. Tek unë, si ministër, Dhoma e Avokatisë do të gjejë një partner. Jam gati të ulem të çelim diskutimet dhe të hapim temën e dialogut”, deklaron Manjani.

Ministri i Drejtësisë paralajmëron avokatët që të mos mungojnë, pasi ata paguhen nga shteti. Megjithëse në këtë rast Manjani me shumë gjasë ndodhet mes dy zjarreve, për shkak se ai vetë është edhe avokat, profesion prej të cilit e ka të vështirë të ndahet.

TCH: A kanë të drejtë avokatët në këtë bojkot?

Manjani: Kur të mos jem ministër mund t’jua them.

Top Channel