Fluksi i pritshëm, Gjosha: Nuk do të ketë mure për emigrantët

25/02/2016 00:00

Qeveria shqiptare është e përgatitur për menaxhimin e çdo fluksi të emigrantëve, është shprehur ministrja e Integrimit Klajda Gjosha nga Korça.

E pyetur nga gazetarët për situatën me refugjatët sirianë në kufi, ministrja Gjosha u shpreh:

“Kjo në fakt është një çështje që ka kohë që diskutohet, pavarësisht që deri tani Shqipëria nuk ka qenë e prekur nga turma e refugjatëve, por mesa duket ka patur një ndryshim të kësaj trajektoreje. Jam e informuar që ka një numër të madh sirianësh që presin të hyjnë në Shqipëri. Për mendimin tim, qeveria do të jetë e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme duke mos ndërtuar asnjë mur kundrejt këtyre refugjatëve,  që kërkojnë të hyjnë  në vendin tonë. Ajo që është e rëndësishme, është që të ketë një bashkëpunim shumë të madh me të gjithë vendet fqinje, dhe në këtë rast me Greqinë por edhe me vendet anëtare të Bashkimit Europian, sepse ky duhet të jetë një projekt i përbashkët. Dua të theksoj sërish që të gjithë ata persona që presin të hyjnë në Shqipëri është mirë që të kenë një regjistrim të posaçëm dhe të identifikohen, kjo për arsye sigurie të vendit”, tha Gjosha.

Në këtë takim ka qënë i pranishëm edhe ambasadori grek në Shqipëri, Leonidas Rokanas. Policia ka shtuar kontrollet në kufi, pasi ka pasur tendenca që refugjatët të përdorin edhe kufirin shqiptar për të kaluar tranzit. Vetëm në Kakavijë u kthyen mbrapsht 12 klandestinë pakistanezë.

Top Channel