Tri ditë pa gjyqe, avokatët në vend shpallin grevë kundër taksave

24/02/2016 00:00

Xhemal Mehmeti, në seancën e sotme gjyqësore priste konkluzionet e Prokurorisë se, sa dënim do të kërkonte organi i akuzës për të. Por mungesa e avokatit të tij, për shkak të grevës treditore, është bërë shkak për dështimin e gjyqit.

Gjykatës që endeshin shkallëve të institucionit, teksa zbrisnin nëpër salla e më pas shtynin seancat, kjo ka qenë situata në Gjykatën Penale të Tiranës, më e madhja në vend.

TCH: Keni zhvilluar procese gjyqësore sot?

Gjyqtari: Deri tani jo, jemi në pritje të avokatëve.

“Hapet procesi, verifikohet prania e palëve dhe më pas shtyhet për mungesë të avokatëve”, tha Kreshnik Omari, gjyqtar.

TCH: U shty procesi… Çdo të thotë për Prokurorinë kjo grevë treditore?

Prokurori Albert Demirneli: Zvarritje e hetimit dhe gjykimit të çështjeve. Sigurisht që na hap probleme.

Avokati Robert Karati: Njoftova gjykatën që jemi në grevë dhe për ta shtyrë seancën në një ditë tjetër.

“Vijmë në punë dhe nuk punojmë. I shohim sallat gjysmë bosh. Proceset shtyhen. Unë dëshiroj të theksoj se nuk mund të paragjykojmë asnjë nga veprimet e ndërmarra nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila për hir të së vërtetës tregoi se është një organizëm shumë solid dhe i vendosur. Kjo tregon edhe faktin se asnjë nga avokatët nuk e ka thyer grevën”, tha Gert Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve.

E njëjta situatë ka qenë në të gjitha gjykatat e të gjitha shkallëve në vend. Kjo do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera, pasi avokatët kërkojnë shfrytëzimin e ligjit të ndyrshuar për kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili vendos një kuotë të caktuar sipas vjetërsisë së avokatëve.

Top Channel