Paditet drejtori i rrugëve, KLSH: Gjetëm 634 milionë lekë dëme

24/02/2016 20:00

Kontrolli i Lartë i  Shtetit ka kërkuar shkarkimin dhe ka kallëzuar në Prokurori kreun e ARRSH, Dashamir Gjika dhe pesë nëpunës të tjerë për shpërdorim detyre, pas një auditimi të veprimtarisë së ARRSH nga 1 janar 2014 në 30 shtator 2015.

Nga auditimi rezulton se ARRSH i ka shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit që përllogaritet në rreth 634 milionë lekë, të shkaktuar kryesisht për shkak të mungesës së supervizimit të projekteve të infrastrukturës.

Për më shumë se një vit e gjysmë ARRSH nuk i ka kërkuar subjekteve që kanë kryer punime me cilësi të dobët apo nuk kanë zbatuar kontratat përkatëse, vlerën financiare të këtyre shkeljeve që sipas KLSH arrin në rreth 495.5 mln lekë punime të pakryera.

Shkelje janë konstatuar më së shumti në segmentin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, ku ARRSH ka favorizuar në mënyrë të qëllimshme subjektet e kontraktuara duke i lejuar të ndryshojnë tipin e parmakëve për shkak të kostos më të ulët për biznesin.

Përveç dëmit financiar, Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se ARRSH me këtë ndryshim ka cenuar me ndërgjegje sigurinë rrugore të këtij aksi duke rritur rrezikshmërinë për qytetarët.

Segmente të tjera me punime të pakryera janë Milot-Fushë Krujë, Kukës-Krumë, Unazë e Re-Tiranë-Mullet, etj.

Një tjetër shkelje e konstatuar nga KLSH është rritja artificiale e fondit limit në një vlerë prej 100 mln lekësh e përfituar padrejtësisht nga operatori fitues i prokurimit publik për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës.       

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA