Në vizitën zyrtare në Bosnje Hercegovinë, presidenti Bujar Nishani u prit nga kryesuesi i presidencës boshnjake dhe dy anëtarët e tjerë të saj.
Dy ishin kërkesat e kreut të shtetit shqiptar: lëvizje e lirë për qytetarët e të dyja vendeve, vetëm përmes kartës së identitetit; dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.
“Nisur nga orientimi ynë evropian, si dhe nevoja për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit dhe rritjes së prosperitetit, rajoni ynë ka më shumë se kurrë nevojë për praninë dhe kontributin e të gjitha vendeve, përfshirë dhe të Kosovës. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina do të ishte një kontribut shumë i qenësishëm në këtë drejtim”, deklaroi Nishani.
Kreu i shtetit shqiptar, thuhet në një njoftim zyrtar, mori premtimin e presidencës boshnjake për të gjetur një zgjidhje për njohjen e dokumentave të Kosovës, si dhe mbajtjen e një takimi me përfaqësuesit e këtij shteti në Podgoricë të Malit të Zi.
Top Channel