Mandati i Kokëdhimës, Kushtetuesja rrëzon vendimin e Parlamentit

24/02/2016 15:10

Pas gati më shumë se dy muajsh nga shpallja e vendimit, Gjykata Kushtetuese e ka zbardhur atë mesditën e së mërkurës.

Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për mosdërgimin në këtë gjykatë të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit Koço Kokëdhima.

Në vendimin e zbardhur thuhet se Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti.

“Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t`u shprehur për themelin e çështjes.

Nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në vendimin e Gjykatës, për të cilin vetëm gjyqtari Sokol Berberi është shprehur kundër. Me këtë vendim, tashmë i hapet rruga deputetëve të Partisë Demokratike për të kërkuar edhe njëherë heqjen e mandatit për deputetin socialist Koço Kokëdhima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA