Haxhia: Greva mund të zgjasë, do ankohemi edhe në Kushtetuese

24/02/2016 20:15

Taksa e re mbi avokatët vë në vështirësi më shumë se 1.200 avokatë të rinj. Në një intervistë për Top Channel, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia deklaron se, megjithë shqetësimin e ngritur më herët për këtë diskriminim, institucionet janë treguar indiferente.

“Kanë ndarë 3 kategori, ai që fillon sot dhe ka 3 vjet do paguajë 186 mijë lekë të vjetra në muaj për kontribut. Nga 3 deri në 6 vjet do të paguajë 226 mijë dhe mbi 6 vjet 286 mijë lekë në muaj. Ata i kanë llogaritur këto mbi një pagë, por pagën e vendos tregu. Pastaj, ai që punon në Përmet, në Gramsh, apo në Pukë merr apo s’merr 100 mijë lekë në muaj”, thotë Haxhia.

Në një kohë kur Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë njoftoi se për këtë shkelje i është drejtuar shoqatave ligjore të BE-së, zoti Haxhia përmend nisjen e një tjetër beteje, këtë herë në Gjykatën Kushtetuese.

“Të deklarohet antikushtetues ligji dhe vendimi i nxjerrë në bazë dhe për zbatim të tij. Dhe vendimin e kemi vënë si argument, ja se çfarë pasoje prodhoi ky vendim, që i delegoi qeverisë autoritetin për të përcaktuar masën e kontributit. Nëse do të jetë e nevojshme greva do të zgjasë 1 deri në 6 muaj, sikurse kanë bërë kolegët në rajon. Serbia për shembull bëri një bojkot 6 muaj dhe arriti në shkarkimin e ministrit të Drejtësisë sepse ishte i lidhur me interesa klanore të tjera”, paralajmëron Haxhia.

Të vetmit që kanë të drejtë të jenë të pranishëm në gjykatë në këtë bojkot 3-ditor janë mbrojtësit që përfaqësojnë masat e sigurimit.

Top Channel