Vitet nën peshën e një turpi të pamerituar

23/02/2016 00:00

Fatbardh Hoxha ishte vetëm 17 vjeç kur u akuzua për një krim të rëndë, të cilin nuk e kish kryer. Në korrik të vitit 2010, u arrestua për përdhunimin e një 9-vjeçareje nga i njëjti fshat, në Ardenicë të Lushnjës. Edhe pse pa asnjë provë, ai qëndroi gabimisht në qeli për 84 ditë.

Sot, 6 vite më pas, Fatbardhi dhe prindërit e tij, Fitimi dhe Artiana, enden gjykatave, duke kërkuar kompensimin për burgimin e padrejtë.

Në vitin 2010, Gjykata e Lushnjës u dha të drejtën e dëmshpërblimit me 280 mijë lekë të reja për qëndrim të padrejtë në paraburgim. Por, vendimi u apelua e përfundoi në Vlorë, ku pas disa seancash u vendos që  çështja të rigjykohet në Lushnje.

Në këtë moment, familja kërkoi edhe kompensimin prej 2 milionë e 500 mijë lekësh të reja, të cilat ja bashkëngjitën padisë së fillimit. Por, pavarësisht orvatjeve të lodhshme dhe që kanë kushtuar shumë, familja Hoxha nuk ka përfituar ende asgjë. Ligji i ri i gjyqësorit i ka përplasur në dyert e Gjykatës Administrative në Tiranë,  ku çështja e tyre nuk ka nisur  së shqyrtuari.

Fatbardhi, Fitimi dhe Artiana nuk e kanë humbur ende shpresën se një ditë do ta fitojnë betejën e tyre ligjore, tek e cila përfunduan krejtësisht pa faj. E megjithatë, edhe pse pa faj e me një njollë morale të pamerituar, ata e jetojnë jetën e tyre gjykatave, derisa çekiçi i drejtësisë të godasë siç duhet…

Top Channel