Presidenti Bujar Nishani i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, këtë herë për të kërkuar rrëzimin e ligjit të Qeverisë për pronat.
Nishani e kërkon shfuqizimin e këtij ligji pasi sipas tij është i papajtueshëm me Kushtetuten.
Këtë nismë, kreu i shtetit e pati paralajmëruar plot një muaj më parë, por vetëm tani e ka bërë konkrete kërkesën pranë Kushtetueses.
Beteja e tij kundër ligjit të Qeverisë nisi me dekretin për kthimin e tij në Kuvend në fund të dhjetorit, ku argumentonte se ligji në tërësinë e tij, cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit të ish-pronarëve, prish konceptin e ekonomisë së tregut, si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Vlera e kompensimit, argumentonte Presidenti, bën të pabarabartë përpara ligjit ish-pronarët.
Partia Demokratike u deklarua kundër ligjit të pronave me argumentin se ua rimerr pronarëve tokën. Maxhoranca e rrëzoi dekretin e Presidentit për ligjin e pronave duke e rivotuar atë pa asnjë ndryshim në Kuvend dhe e akuzoi Presidentin se zgjati qëllimisht nxjerrjen e dekretit deri në afatin e fundit, në mënyrë që Shqipëria të mos ketë asgjë konkrete në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, që do të zhvillohej më 30 janar.
Top Channel