Paditë e PD, dorëzohen prova të tjera për lejen e këndit të lojërave

23/02/2016 00:00

Projekti për ndërtimin te Parku i Liqeni është zyrtarisht në hetim. Top Channel ka mësuar se Prokuroria e ka regjistruar padinë e dorëzuar të mërkurën e kaluar nga Partia Demokratike, e cila akuzon kryetarin e Bashkisë së Tiranës për shpërdorim detyre dhe shkatërrim të pronës publike.

Burime nga Prokuroria konfirmojnë se organi i akuzës i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës dosjen e plotë të projektit të parku dhe do të nisë pyetjen e personave të përfshirë sapo të jetë në posedim të kësaj dosje.

Ndërkohë, Partia Demokratike i ka shtuar akuzat e saj dhe e ka furnizuar Prokurorinë me të tjera dokumente, që sipas Ervin Salianjit, kanë në bazë falsifikimin e lejes së ndërtimit. Demokratët pretendojnë se gjithçka që po ndodh te Parku i Liqenit është aferë korruptive për ndërtimin e një biznesi klientelist.

“Për më tepër, ky nuk është një park, por siç e shpjegon vetë shkresa këtu do të jetë një kafe, e quajtur me emrin “Grand kafe”. Çka e bën më klientelist dhe korruptiv këtë vendim është se studio e projektimit është Alban Eftini që njihet si person që ka shkatërruar 80 përqind të Tiranës, bashkë me Edi Ramën apo kompania “Wilson””, tha Salianji.

Ndërkohë, beteja me kallëzimet penale është intensifikuar gjatë të martës. Policia ka ndaluar disa persona dhe ka shpallur në kërkim disa të tjerë që akuzohen për përdorim të dhunës gjatë protestës së Partise Demokratike dhe për shkatërrim të pronës te Parku. Mes të shoqëruarve në polici dhe që janë lënë të lirë më vonë janë edhe disa drejtues të Partisë Demokratike, sekretari organizativ Enno Bozdo dhe kryetari demokrat i degës 5, Ndriçim Babazi, mbi të cilët rëndojnë akuza të ndryshme. Por edhe demokratët nuk kanë mbetur pas. Pasditen e së martës ata njoftuan paditjen e 4 institucioneve dhe të një firme private.

“Ne kërkojmë me forcë ndërprerjen e represionit ndaj qytetarëve dhe ndëshkimin sipas ligjit të shkelësve të vërtetë të ligjit që ndodhen në polici INUK, INUV dhe Inspektorati Mjedisor, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre garantuan shkeljen dhe moszbatimin e ligjit dhe shkatërrimin e pronës publike”, tha Ristani.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta