Gazetarja e Zërit të Amerikës i preu fjalën në mes ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili po merrte pak më shumë kohë seç duhej në përgjigjen e tij kur u pyet për akuzat e opozitës për koncesionet me vlerë qindra miliona eurosh.

Në momentin që ministri po jepte një përgjigje të gjatë, gazetarja i tha: “Zoti ministër, nuk po i përgjigjeni pyetjes. Erdhi fundi i emisionit dhe më duhet ta mbyll”. Kur Beqaj i kërkoi edhe pak kohë për të dhënë përgjigjen, gazetarja i dha dorën duke i thënë: “Gjithë të mirat, mbaroi koha”.

Më parë gjatë intervistës, ministri Beqaj theksoi se “jemi në drejtimin e duhur për të përmbushur angazhimin tonë kryesor të vitit 2013, që do të thotë: të gjithë shqiptarëve t’u ofrojmë një kujdes shëndetësor që nuk duhet ta përballojnë nga xhepi i tyre, por që duhet të financohet nga kontributi i përgjithshëm i të gjithë shoqërisë. Në këto dy vite e gjysmë besoj se ka hapa konkretë për të shkuar drejt kësaj”.

Në lidhje me standardet e spitaleve, Beqaj tha: “Kemi ende mungesa, por më shumë janë pjesë e një perceptimi dhe jo realiteti. Në spitalet tona ka furnizim më të mirë me barna dhe pajisje mjekësore funksionale. Sot, them që jemi në drejtimin e duhur”.

Top Channel