Veliaj, negociata me BERZH: Ndodhia në Tiranë ishte vandalizëm

22/02/2016 00:00

Në kohën kur kryeministri Cameron po i drejtohej të hënën pasdite Parlamentit britanik për çështjen e referendumit, një numër i konsiderueshëm deputetësh britanikë, kryesisht laburistë, por edhe lordë, preferuan të marrin pjesë në një pritje në ambientet e Parlamentit për nder të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke vlerësuar arritjet e tij si politikan i ri dhe sukseset e Shqipërisë në rrugën e reformave drejt integrimit europian.

Mes tyre ishte edhe Sadik Kahn, kandidati laburist që pritet me të gjitha gjasat të kandidojë për kryetarin e ri të Bashkisë së Londrës, i cili shprehu vlerësimin më të lartë për Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar në Britani, siç ka bërë edhe herë të tjera.

Erion Veliaj, i cili negocioi me sukses në Londër financimin nga BERZH-i për ndërtimin e terminalit të autobusëve në Tiranë, tha për Top Channel se, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vendosur të konsiderojë seriozisht një pjesë të madhe të financimit për shkollat, në partneritetin publik-privat.

Duke folur për aktualitetin politik në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj dënoi atë që e cilësoi si vandalizëm dhe tha se, pamjet në Tiranë nuk janë pamje të një qyteti europian.

TCH: Zoti Veliaj, ndërkohë që ju këtu në Londër dhe në Parlamentin britanik, por edhe nga BERZH merrni vlerësime, në Tiranë ju kontestoheni. Cili është komenti juaj?

Erion Veliaj: I çmoj shumë vlerësimet e Parlamentit britanik, si dhe përkrahjen që po marrim nga BERZH, sigurisht që vlerësoj më shumë përkrahjen e qytetarëve të mi, për të cilët po punoj dhe për interesin e të cilëve vij këtu në Londër të avokoj. Sigurisht që, teksa luftojmë për këtë interes, shpesh herë keqkuptohemi, kritikohemi, por edhe dhunohemi, siç ishte vandalizimi që ka ndodhur sot nga një forcë politike. Pamjet e tërheqjes së investimeve publike zvarrë në Tiranë, si trofe të luftës dhe të plaçkitjes nuk janë pamje të një qyteti europian. Por unë besoj se, përkrahja që ne kemi është jashtëzakonisht e madhe dhe ndoshta më e madhe se ajo, që kishim ditën e votimit. Njerëzit po shikojnë sesi në 6 muaj po punohet përditë në Tiranë. Kjo është edhe ajo që po kthen besimin e investitorëve këtu në Britani e kudo tjetër, që po afrohen ndaj Tiranës duke parë kantierin e punëve të hapura. Unë jam i vendosur që të mos frikësohem nga vandalizimi dhe jam këtu të luftoj për shumicën e heshtur. Kjo, sepse një pakicë që bën zhurmë nuk mund t’i imponohet një shumice që kërkon të shohë punën e vet, që kërkon të nxjerrë fëmijët për shëtitje, apo që fëmijët të luajnë pa shkuar për të paguar në qendrat tregtare, që e duan Tiranën jo vetëm për Shën Valentin, kur dikush zbulon se nga është Liqeni, por që e duan çdo ditë dhe jetojnë çdo ditë në Tiranë. Për këtë Tiranë luftoj unë dhe kjo është përkrahja që më inkurajon për të vazhduar i vendosur, që çdo premtim që kam bërë në fushatë, siç ishte edhe ai për transformimin e Parkut të Liqenit, apo për ndërtimin e parqeve të tjera në Kashar, në Vaqarr dhe në zona të tjera, për t’i dhënë një valvulë shkarkimi kryeqytetit, t’i mbaj të gjitha. Kam vetëm 6 muaj në detyrë, kam edhe 3 vite e gjysmë. E kuptoj që pala tjetër këmbëngul të hyjë me dhunë në një ndërtesë, ku ishin përpara 6 muajsh për 4 vite me radhë. I kishin të gjitha mundësitë që nga ajo ndërtesë t’i bënin këto transformime. Sot, të dhunosh atë ndërtesë dhe simbolet e qytetit, apo të vandalizosh punët publike, do që të përballesh me përgjegjësi, kështu që sigurisht do të ketë gjobë dhe ndjekje penale për të gjithë dhunuesit.

Erion Veliaj ftoi gjithashtu biznesin britanik të investojë në Tiranë dhe në Shqipëri, në takimin e zhvilluar në Parlamentin britanik, gjë të cilën e bëri edhe në takimin e një dite më parë me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër.

Kryebashkiaku i Tiranës, ndryshe nga shumë politikanë të mëparshëm dhe aktualë, vazhdimisht gjen kohë të bisedojë me shqiptarët e Britanisë dhe vlerësohet prej tyre se, i ka ndihmuar me të gjitha mënyrat për problemet që e kanë shqetësuar këtë komunitet ndër vite.

Top Channel