Samiti i BERZH, Rama fton investitorët: Ejani, ofrojmë mundësi të mëdha

22/02/2016 11:45

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, që po zhvillohet nga BERZH në Londër, se ekonomia shqiptare e ka lënë pas krizën.

“Kur ne erdhëm në pushtet e nisëm detyrën me një rritje ekonomike shumë të vogël, rreth 0.5 për qind. Por në vitin 2015 rritja ishte 2.17 për qind dhe për këtë vit synohet që ajo të arrijë në 3.4 për qind”, tha Rama.

Pasi njohu investitorët me reformat e ndërmarra nga qeveria, si ajo e energjisë, pronës dhe financave publike, kryeministri tha se Shqipëria po lëviz drejt një modeli të ri ekonomik.

“Në këtë model të ri që në po sjellim, investimet e huaja janë një një element shumë i rëndësishëm dhe thelbësor, pasi duam të eleminojmë modelin e kaluar, ku rritja ekonomike vinte përmes borxhit të qeverisë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare e shfrytëzoi samitin për t’iu drejtuar investitorëve të huaj, një thirrje në formën e sfidës.

“Ata që do të prersin të vijnë derisa gjithçka të rregullohet do t’u vijë keq që nuk investuan sot në këtë ambient, që ende nuk është perfekt, por i cili ofron më shumë mundësi sesa do të gjenit në një ambient perfekt biznesi”, tha Rama.

Zoti Rama kërkoi nga BERZH që të avancojë projektin për krijimin bankës rajonale të zhvillimit, një ide e hedhur fillimisht në samitin e Vjenës, përmes të cilës vendet e Ballkanit do të financonin projektet e përbashkëta të investimeve. 

Top Channel