Opozita mbyll protestën, tela rrethues në derën e bashkisë

22/02/2016 10:15

Sërish janë regjistruar incidente mes policisë dhe protestuesve në parkun e Liqenit. Pamjet tregojnë një konfrontim mes tyre, sapo kanë mbërritur edhe protestuesit e nisur nga bashkia për te Liqeni.

Partia Demokratike ka nisur protestën e paralajmëruar para godinës së bashkisë së Tiranës. Protestuesit qëlluan me vezë e domatë godinën, teksa para hyrjes së bashkisë ishte vendosur një kordon policësh.

“I pari kryetar bashkie që guxon të hapë rrugën e betonit parkut të Liqenit. Nuk e ka bërë askush më parë, nuk e ka bërë as Edi Rama. I kanë ardhur rrotull parkut të Liqenit dhe ky sot guxon të bëjë këtë gjë, duke e konsideruar park lodrash për fëmijë. Tirana ka vende plot për parke lodrash për fëmijë”, tha deputeti demokrat Gerti Bogdani.

Protesta më pas u zhvendos pranë parkut të Liqenit, ku dhe janë regjistruar edhe pamjet e para të përplasjes. Incidentet vijnë një ditë pasi u shënuan të tjera të tilla, ku aktivistë të shoqërisë civile u dhunuan nga policia.

Protesta e PD-së ka vijuar më pas sërish në godinën e bashkisë së Tiranës, ku kanë vendosur edhe tela rrethues duke kërkuar tërheqjen nga projekti abuziv.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel