Basha: Rama vazhdon të thellojë hendekun mes dy botëve

22/02/2016 14:30

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një deklarate ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, vazhdon të thellojë hendekun mes dy botëve që ka krijuar në vend.

“Në botën e tij gëlon shkelja e ligjit, e kushtetutës, vjedhja e korrupsioni. Në këtë anë janë strehuar hajdutët që vjedhin dhe s’pyesin për askënd”, ka deklaruar Basha.

Ndërsa në botën tjetër, sipas tij, “janë qytetarët e pamundur, të cilët i kap ligji dhe represioni edhe për një tjegull që vendosin në çati, apo për një dritare që rregullojnë”.

“Në botën e Edi Ramës është Erion Veliaj, që shkallmon Parkun e Liqenit pa leje, që ndërton aty kafe dhe restorante për interesa korruptive. Është Armando Prenga, që pasi ka bërë kasaphanë me armë pa leje brenda komisariatit të policisë, sot shqyrton në Parlament dekretet e Presidentit. Janë Beqajt e Ahmetajt, që po zhvasin çdo ditë miliarda me konçesione. Është Tahiri, kumbari i trafikut të drogës. Është Kokëdhima, që sundon jugun. Balla, që kontrollon çdo emërim, liçencë e tender nga Elbasani në Korçë. Një gjiriz i madh me shkelës ligji, me vjedhës, me të korruptuar”, ka vijuar Basha.

Ndërsa në botën e qytetarëve, ka thënë kreu i opozitës, dhuna ndaj tyre shtohet çdo ditë dhe burgu pret të pamundurit, “të cilët ndëshkohen pikërisht për varfërinë e tyre”.

“Kjo padrejtësi po çon çdo ditë në konflikt social. Këto dy botë nuk mund të pajtohen. E vetmja rrugë që i ka mbetur qytetarëve është të përballen me kampin e sunduesve të korruptuar. Të qëndrojnë përballë tyre. T’u rezistojnë me forcë dhunuesve e plaçkitësve”, është shprehur Basha.

“Protestë, rezistencë, përballje. Kjo është rruga e qytetarëve. Ky është shpëtimi. Ndryshe vjedhja, korrupsioni, shkelja e ligjit, zhvatja e pasurive publike do të shtohen çdo ditë, do asfiksojnë vendin, do mbysin demokracinë”, ka shtuar ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA