Sërish përplasje Prokurori-Polici, lirohet ndërtuesi

21/02/2016 00:00

Duke e konsideruar arrestimin e shtetasit Arben Reli si të paligjshëm, Prokuroria e Tiranës urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, pa mbushur 48 orë nga deklarata zyrtare e uniformave blu, që njoftuan prangosjen e biznesmenit në kushtet e flagrancës.

Në këtë mënyrë, për herë të dytë brenda pak ditësh, organi i akuzës del kundër arrestimeve të Policisë së Tiranës, duke i konsideruar ato joligjore e duke refuzuar t’i dërgojë në gjykatë për masë sigurie.

E ndërsa Policia e prangosi Relin për ndërtim pa leje, Prokuroria konstatoi se, në fakt, administratori i një firme ndërtuese ka qenë duke larguar skelat nga fasada e objektit.

Avokati i Arben Relit, Theodhori Sollaku tha për Top Channel se, këto veprime rrezikojnë të kthehen një precedent kundër biznesit.

“Prokuroria reagoi shumë vonë. Duhet ta kishte liruar më herët. Policia po vepron si bandë gjobvënëse, sepse nuk ekzistonte asnjë rrethanë, që klienti im po ndërtonte”, tha Sollaku.

Një javë më parë, Prokuroria shpalli të paligjshëm edhe arrestimin e një biznesmeneje tjetër, Nadire Qinami. Ndërkohë që ajo u ndalua, sipas Policisë, për ndërtim të paligjshëm, Prokuroria urdhëroi lirimin e menjëhershëm, pasi në referim të dokumentacionit rezuloi se, biznesmenja po kryente instalime në rrjetin elektrik të objektit të administruar prej firmës së saj.

Për këtë rast, precedenti i përplasjes Prokurori-Polici është edhe më shqetësues, pasi jo zyrtarisht mësohet se prokurorja e çështjes, Anila Papa ka vënë në dijeni Prokurorin e Përgjithshëm se është telefonuar nga një oficer policie, i cili i ka kërkuar llogari se, përse e urdhëroi lirimin e 58-vjeçares.

Top Channel