Protesta tek parku, Prokuroria hap hetim kryesisht

21/02/2016 00:00

Prokuroria e Tiranës hapi hetimet kryesisht “për veprime arbitrare nga ana e policisë”, pasi prokurorët kanë parë pamjet filmike kur një grua është goditur nga një polic gjatë protestës për parkun.

Polici Kristaq Papajorgji ndërkohë ishte pezulluar më herët nga detyra dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi edhe përjashtimin e tij nga radhët e policisë. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ka njoftuar nisjen e hetimit ndaj policit për shkelje të rënda disiplinore.

Pasditen e së dielës, disa orë pas protestës që përfundoi me dhunë e me disa të shoqëruar nga policia, nje grup nga organizatorët e protestës, janë pritur në një takim nga kryeprokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në takim është bërë e ditur se Prokuroria kishte hapur hetimet, ndërsa protestuesit kanë ngritur një padi ndaj bashkisë.

“Duke shkelur lejen e ndërtimit, lejen e mjedisit, komunikimin me publikun dhe deri në flasifikim të datave për të qenë ato koherente, ose para vendimmarrjes së ndërhyrjes”, deklaroi Sazan Guri, ambientalist.

Ndërkohë, Prokuroria pret që policia të paraqesë dosjen për të gjitha incidentet që ndodhën në protestën e organizuar në kodrat e liqenit. Rreth 12 persona u shoqëruan nga ana e policise gjatë akteve të dhunes e më pas jane lënë të lirë.

Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një parku lojërash për fëmijë në kodrat e liqenit është kundërshtuar nga një grup aktivistësh të cilët organizuan edhe protestën. Aktivistët janë konfliktuar me policinë ndërsa kanë shkulur rrethimin e vendit ku bashkia po zbaton projektin.

Protestuesit u zhvendosen pranë Bashkisë së Tiranës ku deklaruan se protesta do të vijojë ndërsa pas protestës, Partia Demokratike reagoi me anë të një deklarate ku thuhet se dënon aktet e dhunës gjatë protestës, duke cilësuar veprimet e policisë një dhunë të shëmtuar për të mbrojtur një aferë korruptive të kreut të qeverise Edi Rama dhe Erion Veliaj. Partia Demokratike ndërkohë njoftoi një tjetër protestë të hënën paradite para bashkisë.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqërise civile, edhe pse e përshendeten nismën e Partisë Demokratike, bënë të qartë distancimin e tyre nga çdo influencë politike.

“Ne nuk marrim përsipër mëkatet e të shkuarës, të dikujt që nuk e ka dashur atë park dhe që vazhdon traditën e theksuar edhe duke bërë gjasmë sikur e duan”, u shpreh Eljan Tanini.

Top Channel