Protesta te Liqeni, polici ushtron dhunë ndaj një gruaje

21/02/2016 13:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar ndaj dhunës që është ushtruar nga policia ndaj protestuesve tek Parku i Liqenit. Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se ka kërkuar lirimin nga detyra të punonjësit të policisë që ka dhunuar një grua.

“Është e papranueshme të sulmohet uniforma e Policisë së Shtetit, qoftë edhe nga një grua, por absolutisht edhe më e papranueshme dhe e patolerueshme të reagohet fizikisht, sidomos ndaj një gruaje. Kam kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punonjësit të policisë dhe lirimin e tij nga detyra.

Policia që duam nuk mund të jetë kjo që na treguan pamjet e konfliktit mes punonjësit të policisë dhe një qytetareje. Çdo punonjës policie duhet ta dijë këtë dhe kushdo e harron nuk do të tolerohet në asnjë rast e për asnjë arsye”, lexohet në postimin e Tahirit në Facebook.

Pas këtij reagimi është pezulluar nga detyra punonjësi i policisë që ushtroi dhunë, ndërkohë që ka nisur procedimi penal ndaj shtetases M.B., e cila akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe pjesëmarrje dhe organizime të protestave të paligjshme.

Top Channel