HEC-i në Katundin e Ri; banorët, shqetësime për kompensimin

21/02/2016 00:00

Banorët e zonës së Dibrës, që preken nga ndërtimi i hidrocentralit të Katundit të Ri, kërkojnë garanci nga qeveria se do të kompesohen në mënyrë të drejtë, sipas vlerës së tregut.

“Kush do ta bëjë shpronësimin, kush do ta regjistrojë, kush do dalë garant për këtë popull që shpërngulet. Ne nuk jemi 7501-sha”, tha një banor.

“Nëse shteti do të vijë të ulet me njerëzit dhe do t’i bindë ata, duke i kompensuar për gjërat që janë për t’u bërë, dhe do t’u tregojë të mirën… Kush nuk e do të mirën? Por jo derën në thes”, është shprehur një tjetër banor.

Në dëgjesën e parë publike për këtë çështje, zyrtarët e Ministrisë së Energjisë deklaruan se qeveria do të mbrojë interesin e qytetarëve.

“Ne po tentojmë që nga kompania prodhuese, private, të përdoret një çmim në bazë të transaksionit financiar. Pra të shpërblehemi sipas vlerës së tregut”, tha një tjetër qytetare.

“Të jeni të sigurtë që do të merret në konsideratë çdo detaj, qoftë edhe më i vogli, i prekjes së interesave tuaja”, tha zv.ministri i Energjisë, Ilir Bejtja.

Sipas Bejtjes, varianti i përzgjedhur nga qeveria për këtë hidrocentral është ai më i leverdisshmi, si për ekonominë, ashtu dhe qytetarët.

“I vetmi segment, që na ka rezultuar i mundshëm për t’u bërë me shumë pak dëme, por me përfitime për zonën si në punësim, ashtu dhe nga pikëpamja e balancimit të energjisë, apo furnizimin me cilësinë e duhur të energjisë elektrike, është Katundi i Ri”, tha më tej zv.ministri Bejtja.

Qeveria thotë se, në hidrocentralin e Katundit të Ri do të investohen 100 milionë euro. Por, opozita ka akuzuar se, projekti është një aferë korruptive e qeverisë me një kompani turke, që – sipas saj, – është paracaktuar si fituese.H

Top Channel