Avokati i Popullit: Dhuna ndaj qytetarëve, e patolerueshme

21/02/2016 14:40

Për dhunën e ushtruar nga punonjësi i policisë ndaj një gruaje në protestën te Parku i Liqenit ka reaguar edhe Avokati i Popullit.

“Avokati i Popullit dënon me forcë dhunën e ushtruar nga një punonjës policie ndaj një qytetareje gjatë protestave tek zona e Liqenit. Dhuna ndaj qytetarëve në çdo rast dhe rrethanë është e patolerueshme. Avokati i Popullit kërkon shkarkimin e menjëhershëm të efektivit të policisë sepse njerëz me prirje të tilla dhune nuk janë të denjë për të mbajtur veshur uniformën e policisë”, lexohet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

“E drejta për të protestuar është një e drejtë e njeriut që duhet të respektohet maksimalisht nga çdokush. Nga ana tjetër, Avokati i Popullit u bën thirrje qytetarëve të protestojnë me qetësi”, shton më tej deklarata.

Top Channel