Totozani në Selanik, angazhim për çështjen e sigurimeve të emigrantëve

19/02/2016 12:00

Disa orë para takimit të Ombudsmanëve të Ballkanit në Selanik për krizën e refugjatëve, Avokati i Popullit të Shqipërisë Igli Totozani dhe homologu i tij grek Vasilis Karidhis janë takuar me disa përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe kanë dëgjuar problemet me të cilat ata përballen në Greqi dhe në Shqipëri.

Emigrantët kanë kërkuar që këto dy insititucione të japin ndihmë ndaj problemeve si lejet e qëndrimit në Greqi që gjithmonë janë afatshkurtra dhe kërkojnë rinovime të herëpashershme, të drejten e votës dhe të zgjedhjes dhe sidomos çështjen e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.

“Është një nga gangrenat që ekziston prej vitesh. Unë mund t’u jap disa nga letrat që ne u kemi dërguar ministrave shqiptarë të çështjeve sociale pikërisht për të arritur këtë marrëveshje të sigurimeve shoqërore të qytetarëve të të dyja vendeve. Këto marrëveshje kanë ndodhur me disa vende,por kanë ngelur në vend me Italinë dhe Greqinë që janë edhe vende që kanë një numër më të madh shqiptarësh. Nga pjesa jonë padyshim që presioni do të vazhdojë,por me sa kuptova do të jetë mirë që edhe kolegu të bëjë edhe ai pjesën e tij dhe do të jetë pjesë e axhendës sonë të përbashkët për të folur edhe në këtë drejtim”, tha Igli Totozani, Avokati i Popoullit të Shqipërisë.

Të pranishmit kanë theksuar që dy avokatët duhet t’i japin një shtysë edhe problemit të mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre në shkollat greke.

“Problemi i fundit qëndron tek integrimi i gjuhës amtare, gjuhës shqipe, si gjuhë amtare e nxënësve shqiptarë në shkollat e tyre greke. Është një e drejtë njerëzore,një e drejtë elementare për fëmijët,një e drejtë bazë për integrimin e gjuhës së tyre amtare”, thotë Valbona Hystuna, mësuese.

Në takim është prekur edhe problemi i pamundësisë së regjistrimit në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri dhe më pas në Greqi të fëmijëve të lindur në shtetin grek nga prindër që nuk disponojnë dokumente të ligjshme .Shpresëdhënës është fakti që edhe në Selanik do të ketë së shpejti një zyrë të Avokatit të Popullit të Greqisë që do të jetë e hapur ndaj problemeve për emigrantët shqiptarë të Greqisë së Veriut.
 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta