Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës kanë ftuar qytetarët e kryeqytetit për mbajtjen ditën e hënë, në orën 10, të një proteste për të ndalur, siç thanë ata, “oligarkun e Bashkisë”.
“Erion Veliaj, ky mashtrues i korruptuar që premtoi se nuk do rriste çmimin e biletës së urbanit dhe 24 orë më vonë e rriti duke iu marrë qytetarëve 15 mijë euro në ditë më shumë; ky gënjeshtar që premtoi se nuk do të rriste por do ulte taksat bashkiake dhe vetëm 4 muaj më pas i rriti ato dëri në 10 herë; ky hajdut që gënjeu se nuk do prekej asnjë fije bari por dha me konçesion të jashtligjshëm Parkun Rinia e po ndërton pa leje në parkun e Liqenit, duke shkatërruar mijëra metra katrorë gjelbërim, kjo vemje që falsifikoi firmën e inspektorit të bashkisë dhe tani po perpiqet të mbyllë hetimet e prokurorisë, duke ofruar rryshfete marramendëse për të korruptuar prokuroret e çështjes; ky sharlatan që kundër ligjit vazhdon ndërtimin pa leje në mes të parkut, që lejon ndërtimet e Xhillarit në kalanë e Tiranës, ndërkohë që qytetarët dergjen në burg me ditë për një dritare apo një riparim çatie; ky oligark vendor i dërguari i shefit të hajdutëve në Tiranë duhet ndalur me çdo mjet dhe me çdo çmim”, thuhet në apelin e PD.
Sipas këshilltarëve të djathtë, “pallavrat e Veliaj, se po e bën këtë për fëmijët, kur në fakt po ndërton një kioskë-lokal-restorant për mikun e tij, nuk i beson askush dhe neverisin çdo qytetar të Tiranës”.
“Tirana është qyteti i qytetarëve dhe jo oborri i pasëm i ordinerit të bashkisë. Qytetarët e Tiranës kanë ditur të rrëzojnë diktatorë gjakatarë, kanë hedhur në tokë sistemin më të egër komunist të gjithë lindjes. Të hënën do tregojnë se një dordolec i korruptuar si Veliaj nuk mund të sundojë qytetin e tyre. Të hënën në orën 10 para Bashkisë dhe më pas drejt Parkut të Liqenit për të ndalur këtë oligark lokal bashkë me interesat e tij korruptive e klienteliste”, thuhet në thirrjen e PD.
Top Channel