Manjani: Brezi im nuk do të shikojë dot drejtësi

19/02/2016 00:00

Të gjallët e brezit tim nuk besoj se do të shohin drejtësi në këtë vend, por të paktën të fillojmë të zbatojmë ligjin. Edhe pse shumë pesimiste, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani mendon se kjo është e vërteta e realitetit shqiptart.

Në një aktivitet në ditën botërore të drejtësisë sociale Manjani u shpreh se në vendin tonë bëhen shumë ligje, por mungojnë njerëzit e duhur për t’i zbatuar ato.

“Ne mund të bëjmë ligje, kemi bërë ligje sa jemi shqepur, do bëjmë ligje të tjera e do shqepemi prapë. Ajo që nuk e qep Shqipërinë është mungesa e burimeve njerëzore”, tha Manjani.

Duke iu rikthyer reformës në drejtësi, Manjani u shpreh se ndeshet çdo ditë me mosbesimin e njerëzve tek gjykatat dhe te faktit tjetër që politika duhet ta kuptojë që s’ka shans të dalë mbi ligjin.

Por për të arritur këtë, Manjani njoftoi se ka ndërmarrë një nismë zyrtare për hapjen e shkollës së Magjistraturës, pasi sipas tij, nuk ka reformë në drejtësi, pa një konkurrencë cilësore.

“Duhet të bëhemi gati për të përballuar reformën në drejtësi, është reforma më e thellë që ka planifikuar ndonjëherë ky vend”, tha Manjani.

Top Channel