Kryekomunari “vodhi” urën, banorët e Ostrenit e ndërtuan vetë

19/02/2016 00:00

Ndërtimi i kësaj ure të vogel në fshatin Tuçep, në Ostren, të Bulqizës, është paguar dy herë. Herën e parë nga banorët e zonës, me 300 mijë lekë dhe herën e dytë nga ish komuna Ostren me 500 mijë lekë. Ura është ndërtuar vetëm njëherë dhe banorët thonë se e kanë bërë me forcat e tyre.

“Unë sot e kësaj dite unk ka marr asnjë lekë për punën e kryer”, thotë Vinar Sataj, banor i fshatit Tuçep.

“Me këto punime, ka shkuar rreth 3 milionë, se ka hekur”, thotë Ferit Koçi, banor i fshatit Tuçep.

Ish kryetari i komunës Ostren, u arrestua nga policia në Dibër, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas njoftimit të policisë, shtetasi Razi Rama, kishte përpiluar dokumenta fiktive për ndërtimin e një ure në fshatin Tuçep me vlere 500.000 lek. Banorët thonë se ish kryetari i komunës, kur çështja po ndiqej nga prokuroria, është përpjekur ta mbylle me para.

“Një rast kam qënë para vitit të ri që e përkëdhelte kështu Vinarin, dhe e dëgjova që i kërkonte lekët. Të paktën i tha të paguajmë punëtorët, dhe ai i thotë “Vinar, mos u mërzit se do e rregullojmë, 1 milionë lekë do të t’i japë unë”, thotë Faik Karabrahimaj, banor i fshatit Tuçep.

Tuçepi është një fshat i thellë malor në Dibër. Banorët e këtij fshati, kanë kërkuar me forcë ndërtimin e urës së tyre deri sa në fund vendosën ta ndërtojnë vetë urën, të cilën ish kryebashkiaku ua përdori për të për përfituar.

Top Channel