Buxheti i ri i Gjirokastrës 37,4% vetëm për paga

19/02/2016 00:00

Këshilli i Bashkisë së Gjirokastrës ka miratuar buxhetin për vitin 2016. Paketa e re ka rezervuar rreth 37,4% të saj vetëm për paga. Këshilltarët kanë debatuar edhe mbi kriteret e shpërndarjes së buxhetit që do të shkojë për ish-komunat.

Me debate të shumta dhe transparencë të munguar për mediat dhe publikun është shoqëruar mbledhja më e rëndësishme e vitit 2016 e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, gjatë së cilës është miratuar buxheti për njësinë e re me 54 mijë banorë.

Këtë vit granti akorduar Bashkisë së Gjirokastrës ka njohur një rritje fare të vogël krahasuar me shumën e granteve të bashkisë dhe komunave që ju bashkuan Gjirokastrës pas reformës territoriale.

Me 7 funksione të reja të transferuara për shkak të riorganizimit, bashkia e re e Gjirokastrës ka propozuar rreth 37,4% të buxhetit të saj vetëm për paga, ndërsa këshiltarët kanë debatuar edhe mbi kriteret e shpërndarjes së buxhetit për njësitë administrative. Këshilltarët e djathtë kanë theksuar se mungojnë investimet e qënësishme në bujqësi dhe investimet me impakt zhvillimi.

Buxheti i Bashkisë së Gjirokastrës ka përjashtuar këtë vit investimet në rrugë për shkak të investimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve të ujërave të zeza.

Vetë kryetarja e bashkisë, Zamira Rami, e cila e ka marrë fjalën shumë herë gjatë mbledhjes, tha se buxheti ka dyfishuar investimet për shkollat dhe se është mjaft ambicioz në çdo drejtim.

Mbledhja më e rëndësishme e vitit që miratoi buxhetin e ri u dominua nga debatet mes 2-3 këshilltarëve nga secili grup. Pjesa e mbetur e këshilltarëve duket se nuk kishte asnjë njohje për përmbajtjen e buxhetit.

Top Channel