Ministri Manjani propozon ndryshime në ligjin për Magjistraturën

18/02/2016 13:30

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka propozuar ndryshime në ligjin për Shkollën e Magjistraturës, duke propozuar edhe hapje të kuotave të pranimit.

Z. Manjani shprehet se kjo nismë bëhet në kuadër të përgatitjes së burimeve njerëzore, për të përballur procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve.

“Me përparësi do të trajtohen studentët që kanë mbaruar jashtë vendit dhe ata me medalje ari. Shkolla e Magjistraturës duhet të trajnojë më shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj”, shprehet ministri Manjani.

Paralelisht, Ministria e Drejtësisë ka nisur konsultimet për këtë projekt me aktorët më të rëndësishëm të përfshirë në proces, si Shkolla e Masgjistraturës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ky projektligj vlerësohet si tejet i rëndësishëm, si për të ardhmen e gjyqësorit, ashtu dhe për të ardhmen e të rinjve shqiptarë të arsimuar jashtë vendit dhe të atyre që janë pjesë e fondit të ekselencës. Rëndësi edhe më të veçantë, kjo nismë merr në kuadër të procesit të Rivlerësim të punës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve aktualë.

Top Channel