Kërcënimet me Facebook, Simoni: Rastet duhen studiuar

18/02/2016 15:35

I riu që shantazhonte të dashurën me foto intime, tani është nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie, e njohur ndryshe si “gjobëvënie”.

Por, si ai tek Krimet e Rënda janë gjykuar gjatë vitit 2015 rreth 30 të rinj, adoleshentë e të mitur, për akuza që nisin nga kërcënimi për publikimin e një fotoje karnavalesh e deri tek gjobitja e djalit 14-vjeçar të një ish-deputeteje nga bashkëmoshatarët e tij, pasi e kishin fotografuar duke pirë cigare.

Por rastet janë edhe më ekstreme se kaq. “Kalove në lagjen time dhe unë të dëgjova kur më shave. Për këtë dua 100 mijë lekë”, ishte mesazhi kërcënues i dërguar një të riu në Durrës, ndërkohë që dosja ndodhet në hetim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.

“Konkretisht ka të bëjë me fenomene të keqpërdorim të të dhënave personale, shantazhe për lidhje personale intime në rrjetet sociale. Është një fenomen që po përhapet në masë tek të rinjtë”, deklaron kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni.

I tillë është edhe rasti i shpalljes fajtor nga Krimet e Rënda të tre 14-vjeçarëve elbasanas me nga 2 vjet dënim me kusht. Ata kishin gjobitur shoqen e tyre të klasës, duke i marrë shuma të vogla lekësh nën kërcënimin se në të kundërt do ta rrihnin.

Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda pohon se duhet të nisin studimet për këtë fenomen. “Në mënyrë që edhe politika penale të jetë adeguate kundrejt këtij kriminaliteti. Faktin nëse këto duhet të jenë kompetencë të krimeve të rënda unë nuk e shoh thelbësor, sepse kjo gjykatë mund të adaptojë një politikë më të përshtatshme krahasuar me grupmoshat e tjera”, thotë Simoni.

Top Channel