Gjykata e Apelit lë në burg Spiro Kserën

18/02/2016 00:00

Sikurse shkalla e parë, edhe Gjykata e Apelit la në arrest me burg ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i dyshuar të ketë vjedhur fonde duke shpërdoruar detyrën së bashku me ish-punonjës të tjerë të këtij dikasteri.

Prokuroria e konsideroi të rrezikshëm ish-ministrin me argumentin se mund të influencojë tek të dyshuarit e tjerë, apo të ndikojë në rrethanat e hetimit.

Ky qëndrim i prokurorisë u kundërshtua nga Ksera dhe avokati i tij. Ksera i tha gjykatës se është ish-deputet dhe personalitet i njohur në politikë dhe aktiv në jug të vendit.

“Nuk i jam shmangur hetimeve”, këmbënguli Ksera, “jam familjar e prind i tre fëmijëve dhe ky është diskriminim, pasi jam minoritar grek”.

“Jam i qetë”, shtoi Ksera, “sepse nuk kam kryer asnjë vepër penale”. “Ministria ka kryer vetëm lidhjen e kontratës për aktivitetet dhe ky proces ka qenë i monitoruar”, shpjegoi ish-ministri.

“Është diskriminim sepse nuk jam i rrezikshëm. Unë jam i hapur të hetojmë e të gjykojmë, por jo në gjendje burgimi. Ky është një presion politik nga të gjitha palët”, u shpreh Ksera për mediat.

Ndërsa Gjykata e Apelit lexoi vetëm dispozitivin për arrestin me burg, avokati i Kserës deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës se Lartë për të kërkuar lirimin e tij. 

Top Channel