Cërriku nis riciklimin, projekt për mbledhjen e mbeturinave në shtëpi

18/02/2016 00:00

Bashkia e Cërrikut ka nisur të aplikojë një projekt pilot për menaxhimin e mbetjeve urbane me aistencë teknike nga Japan International Cooperation Agency.

Projekti i cili ka nisur në lagjen nr.3 të Cerrikut konsiston në mbledhjen e mbetjeve urbane derë më derë dhe më pas riciklimin e tyre në vendin e grumbullimit. Bashkia Cërrik ka hequr koshat e grumbullimit të mbetjeve nga kjo lagje dhe ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve.

“Projekti pilot i qeverisë japoneze në bashkëpunim me bashkinë e Cërrikut, konsiston në menaxhinimn e mbetjeve, po me një tjetër mënyrë mbledhjeje. Tani po aplikohet vetëm në zonën numër 3 të Cërrikut, dhe jo vetëm synojmë po pritshmëritë janë që këtë ta shtrijmë në të gjithë bashkinë e Cërrikut” thotë Altin Toska Kryetar i Bashkisë Cërrik

Përfaqësuesi i JICA (Japan International Cooperation Agency) e vuri theksin në fazën e dytë të projektit, në riciklimin e mbetjeve, që pritet të nisë pas rreth 1 muaji e gjysëm.

“Ky projekt synon të zbatojë 3R, që është Riciklim, Reduktim dhe Ripërdorim mbetjesh. Situata e menaxhimit të mbetjeve, aktualisht nuk është shumë e përshtatshme në Shqipëri. Përpara se të fillojmë riciklimin duhet të përmirësojmë situatën e menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht në këtë zonë. Situata këtu është pak problematike me këto platforma betoni që janë përgjatë rrugës dhe brenda lagjes, pasi përveç banorëve, edhe drejtuesit e mjeteve i hedhin mbetjet nga makinat në rrugë. Ne së bashku me Bashkinë menduam ta ndryshojmë këtë mënyrë dhe filluam një shërbim të ri që do të konsistojë në mbledhjen e mbetjeve shtëpi më shtëpi. Sot filluam grumbullimin dhe pas rreth një muaji e gjysëm do të nisë riciklimi i mbetjeve”, tha Koji Kosunoki Ekspert i JICA.

Top Channel