Vdekja e fëmijës, Apeli lë në fuqi vendimin për mjekët

17/02/2016 11:40

Familjaret e të ndjerit 11-vjeçarit, Denis Almadhi, që humbi jetën gjatë një operacioni estetik, duket se do të vazhdojnë ende betejën e tyre ligjore për të gjetur drejtësinë që pretendojnë, në ndëshkimin e personave që ata i quajnë fajtorë për humbjen e djalit të tyre.

Kjo pasi gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi këtë të mërkurë të njëjtat vendime si shkalla e parë ndaj dy mjekëve irlandeze, Kevin Klarkson dhe Gerard Pahy, të cilët kishin marrë përsipër operacionin. Sipas këtij vendimi, Kevin Klarkson shpallet fajtor për mjekim të pakujdesshëm dhe dënohet me 600 mijë lekë të reja gjobë, ndërsa kolegu i tij Gerard Pahy shpallet i pafajshëm. Pas këtij vendimi të Apelit, familjarët e 11-vjeçarit janë shprehur sërish të zhgënjyer me drejtësinë

“Kjo çështje tani është aq sa është penale, po aq institucionale. Jo thjesht sepse Denisi ka lënë një amanet se çfarë shkeljesh në linjë administrative bëhen nga qendra spitalore “Nënë Tereza”, se çfarë shkeljesh ligjore bëhen në hetimin e çështjes dhe se si gjykata e degradon këtë çështje në një çështje ordinere”, thotë një i afërm i Denisit.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 11-vjeçari Almadhi pati një komplikacion të papritur dhe të rrallë gjatë operacionit, ndërsa në sallën e operacionit nuk gjendej ilaçi për këtë lloj komplikacioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA