Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar përmes një letre këtë 17 Shkurt, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për 8-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në letër, kryeparlamentari Meta ka shprehur urimet më të ngrohta në emër të institucionit që ai kryeson, duke e cilësuar ditën e sotme si një ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët.
“Kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë vizionarët, heronjtë dhe të gjithë ata, që sakrifikuan në të kaluarën. Sakrificë së cilës duhet t’u përgjigjemi me përulësi dhe përgjegjshmëri politike për të ardhmen”, thekson ndër të tjera Meta, në letrën e tij të urimit.
Ja teksti i plotë i letrës:
I nderuar zoti kryetar,
Me rastin e 8 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë.
Sot është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë vizionarët, heronjtë dhe të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës në të kaluarën, sakrificë së cilës duhet t’u përgjigjemi me përulësi e përgjegjshmëri politike për të ardhmen.
Duke qenë krenarë për atë ç’ka është arritur deri më sot, dëshiroj t”ju siguroj, Koleg i nderuar, se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha përpjekjet e saj për forcimin e institucioneve demokratike, për avancimin e sigurt në rrugëtimin e saj euro-atlantik, si dhe për të ardhmen e përbashkët për të gjithë qytetarët tanë.
Duke Ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për paqe, zhvillim e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.
Top Channel