Barcelona ka fituar edhe ndeshjen e prapambetur të kampionatit spanjoll kundër Gijon duke konsoliduar pozitat në krye të klasifikimit pas 24 javësh në La Liga. Messi ishte njeriu i ndeshjes pasi me dy golat e realizuar kaloi shifrën e 300 të tillave të shënuar në kampionatin spanjoll.
Katalanasit fituan 1-3 në transfertë falë dopietës së “Pleshtit” dhe një goli të Luis Suarez në pjesën e dytë. Për golin e parë u desh të pritej minuta e 25, kur Messi me të majtën shënon golin e 300-të në karrierë në la Liga.
Por, reagimi i vendasve ishte shumë i shpejtë pasi sulmuesi Castro barazon pas dy minutash, që me nje goditje qendrore riktheu në lojë të tijtë.
Sidoqoftë, skuadra e Luis Enriques riktheu sërish avantazhin kur “Pleshti” shfrytëzoi një pasim nga Suarez për të shënuar nga qenda e zonës së rreptësisë.
Në të 62-n Suarez shpërdroi rastin më të mirë për të shënuar golin e tretë për Barçën kur portieri i Gijon, Cuellar, priti penalltinë e uruguajanit. Numri 9 korigjoi gabimin vetëm pak minuta më vonë kur shënoi për rezultatin përfundimtar 1-3.
Me këtë fitore, Barcelona shkon në kuotën e 60 pikëve, 6 më shumë se Atletico Madrid e vendit të dytë dhe 7 më shumë se Reali i Madridit duke hedhur një hap të madh drejt suksesit të radhës në kampionat.
Top Channel