Golden State është një mur i pakalueshëm për të gjitha skuadrat e NBA. Skuadra e Warriors mposhti Houston Rockets 123-110, duke shënuar fitoren e 10 radhazi, të 42 radhazi në fushën e saj dhe të 47 sezonale.
Skuadra teksane mundi t’u rezistojë kampionëve në fuqi për 3 perioda falë paraqitjes fantastike të James Harden, i cili e mbylli ndeshjen me 37 pikë, duke iu kundërpërgjigjur Stephen Curry me 35 pikë, 26 nga të cilat të shënuara në pjesën e parë. Në 12 minutat e fundit Rockets ishte e pafuqishme të përballonte lojën e Golden State, që në këtë fraksion të lojës filloi të marrë arratinë falë gjuajtjeve të sakta për 3 pikë të Barnes dhe Igoudala.
Sukses të rëndësishëm shënoi edhe San Antonio Spurs që mposhti në “American Airlines Arena” Miami Heat me rezultatin 119-101, duke shënuar fitoren e 44 sezonale. Për skuadrën e Greg Popovich shkëlqyen në këtë ndeshje Aldridge me 28 pikë dhe Leonard me 23. Për Miami, 20 pikët e Dwayne Wade nuk mjaftuan për të evituar humbjen e 24 sezonale, me skuadrën nga Florida që mbetet në vendin e gjashtë në Konferencën e Lindjes.
Në ndeshjet e tjera të NBA, Boston Celtics u mund nga Milwaukee 111-112, duke ndërprerë serinë e 3 fitoreve radhazi, Washington Wizards fitoi në “Madison Square Garden” ndaj New York Knicks 111-108, ndërsa Dallas Mavericks u mposht nga Utah Jazz 119-121.
Top Channel