U nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, përcillet drejt banesës së fundit gazetari Namir Lapardhaja Dhjetëra fëmijë, nxënës të shkollës së Re në Durrës, janë çdo ditë në rrezik për jetën, teksa kalojnë në një nga rrugët në ndërtim, që lidh unazën e qytetit me zonën industriale të Spitallës dhe kampusin universitar.
Në rrugën me një qarkullim të lartë të automjeteve dhe këmbësorëve mungon jo vetëm prania e punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor, por edhe sinjalistika e përkohshme.
Kalimi i rrugës nga fëmijët, jo vetëm në këtë pjesë të rrugës në ndërtim, por edhe te mbikalimi i autostradës, është një problem dhe për Drejtorinë e shkollës 9-vjeçare të ish-Kënetës.
“Kemi marrë porosi nga Drejtoria Arsimore Rajonale të bashkëpunojmë me policinë, në mënyrë që në kohën e lëvizjes së nxënësve të ketë punonjës policie. Por nuk është përgjegjësia ime, që nuk ka asnjë polic në kohën e daljes së nxënësve”, thotë Shkëlqim Ceci, drejtor i shkollës së Re.
Top Channel kontaktoi me Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe Bashkinë e Durrësit, por në të dyja rastet, përgjigjet ishin se rruga është ende në ndërtim dhe se, përgjegjëse për investimin është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Si gjithnjë, përgjegjësia mbetet jetime, ndërsa pasiguria në rrugë e lartë.
Top Channel