Media angleze flet gjithnjë e më shumë për mundësinë e transferimit të Neymar në drejtim të kampionatit anglez në sezonin e ardhshëm.
Tabloidi “The Sun” tashmë flet për një betejë të hapur mes dy skuadrave të Mançesterit, City dhe United, që janë gati të paguajnë klauzolën prej 190 milionë eurosh që është në kontratën e brazilianit me Barcelonën, e cila skadon në qershorin e vitit 2018.
Citizens dhe Djajtë e Kuq do të kërkojnë të shfrytëzojnë disa deklarata të fundit të babait të Neymar, i cili ka thënë se 24-vjeçari nuk është e thënë që të qëndrojë përjetë te katalanasit, për të tentuar blerjen e kartonit të tij. “The Sun”, në artikullin e tij shkruan se drejtuesit e të dy klubeve janë gati t’i ofrojnë ato që ai nuk mund t’i përfitojë te Barcelona për shkak të pranisë së Messit.
Manchester United i ofron markën e tij, më prestigjiozja në botë, ndërsa Manchester City ka në favorin e tij faktorin Guardiola, me trajnerin katalanas që e kërkoi brazilianin edhe në vitin 2013, kur mori drejtimin e Bajernit të Mynihut, me klubin bavarez që preferoi të sjellë në skuadër Gotzen.
Por ajo që ka më shumë rëndësi është paga që janë gati t’i ofrojnë Neymarit dy klubet e Mançesterit dhe sipas “The Sun” ajo arrin deri në 60 milionë euro në sezon. Por ky tabloid shton gjithashtu se të dyja skuadrat e Mançesterit fillimisht duhet të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, për të nisur më pas edhe tratativat për blerjen e Neymarit.
Top Channel