Një aksident me pasojë vdekjen e një 60-vjeçari dhe plagosjen e 4 personave të tjerë ka ndodhur pasaditen e së mërkurës në aksin rrugor Elbasan-Peqin pranë fshatit Balldren.
Burime të Policisë bëjnë të ditur se dy mjete, të cilët lëviznin në drejtime të kundërta, janë përplasur me njëri-tjetrin duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të njërit prej drejtuesve. Në aksident janë përfshirë një mjet tip Audi me targa të huaja, i cili drejtohej nga një punonjës policie dhe një mjet tip Peugeot me targa AA 206 KN.
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia dhe ambulancat, por është kërkuar edhe ndihma e shërbimit zjarrfikës pasi prej përplasjes së fortë ka qenë e vështirë nxjerrja nga mjetet e të plagosurve.
Nga spitali i Elbasanit, ku janë transportuar 4 të plagosurit, mësohet se gjendja e tyre paraqitet e rëndë.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është shpejtësia si edhe lagështia në rrugë, por ekspertët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve. Si pasojë e aksidentit është bllokuar edhe qarkullimi përreth 30 minuta në aksin Elbasan – Peqin deri në transportimin e të plagosurve për në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Top Channel