Teksa afron sezoni turistik i verës, operatorët turistikë shtrojnë sërish kërkesën për uljen e taksave pasi sipas tyre, ato përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve dhe si rrjedhojë përkthehen në çmime të larta për turistët.
Shoqatat përfaqësuese të turizmit thonë se Shqipëria ka nivelin më të lartë të taksave në rajon për operatorët e kësaj fushe.
“Ndoshta do një lobim më të madh që qeveria të kuptojë që turizmi nuk është një industri që duhet penalizuar me taksa, por një industri që kërkon detyrimisht stimulime për të arritur rezultate, siç ka arritur rajoni. Do kërkonim nga ministria të bënte ç’është e mundur që ky ligj të rishikohet dhe njëherë dhe të vihet në nivele të pranueshme”, tha Zak Topuzi, president i Shoqatës së Turizmit.
Sipas ligjit, operatorët paguajnë TVSH në nivelin 20 përqind. Ulja e saj në nivelin 10 përqind mund të shqyrtohet në të ardhmen sipas drejtorit të Komanduar të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, por një alternativë për lehtësimin e tyre mund të jetë rishikimi i taksave lokale që përcaktohet nga qeverisja e këtij niveli.
“Ministria ka bërë të pamundurën që të ulë taksën për TVSH-në dhe ju e dini shumë mirë. Ka qenë një bashkëpunim dypalësh, por për arsye të ndryshme që i dimë të gjithë, pasi ishte dhe FMN në mes. Nuk u arrit kjo gjë, por është një premtim i ministrit që do e ngrejë si shqetësim në vijimësi për të bërë të mundur uljen e kësaj TVSH-je”, thotë Ardi Çollaku, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Top Channel