Kupa FA, West Ham eliminon Liverpoolin “in extremis”

09/02/2016 00:00

West Ham arrin të kualifikohet në raundin e pestë të Kupës FA falë një fitore “in extremis” me Angelo Ogbonnan që shënon për herë të parë me fanellën e skuadrës londineze.

Italiani mori hakun e finales së vitit 2006 kur në minutën e 121-të shënoi me kokë për të eliminuar skuadrën e Klopp e cila nuk arriti të mbyll sfidën në 90 minuta pasi rezultati ishte i barabartë 1-1.

Skuadra e Slaven Bilic ishte ajo që kaloi e para në avantazh teksa Michail Antonio në minutën 45-të shfrytëzoi një harkim në zonë të ekuadorianit Enner Valencia duke mposhtur portierin e Liverpoolit Mignolet.

Gjithsesi miqtë nga “Anfield” reaguan shumë shpejtë duke barazuar shifrat me Philippe Coutinhon. Ish-lojtari i Interit ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarde duke e kaluar topin poshtë murit mbrojtës për të lënë të shtangur edhe portierin e West Hamit, Randolph.

Tashmë West Ham do të përballet me Blackburn Rovers në fazën e 1/8-ve, ndërsa Liverpool akoma ka mundësinë për të fituar të paktën një trofe këtë sezon, kur të dielën e 28 shkurtit do të luajë në finalen e Capital One Cup me Manchester Cityn.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA