Ministria e Brendshme egjiptiane ka bërë të ditur se 4 terroristë, të cilët akuzoheshin për sulme ndaj forcave të sigurisë, janë vrarë të dielën në jug të Kajros nga policia.
“Policia kreu një operacion këtë të diel për kapjen e 4 personave mjaft të rrezikshëm në një fshat në jug të kryeqytetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë 4 personat mbetën të vrarë në banesën ku qendronin.
Mediat vendase raportojnë se personat e vrarë kanë qenë të përfshirë në një sulm ndaj forcave të sigurisë, ku mbeti i vrarë një ushtar dhe dy policë në periferi të Kajros.
Katër viktimat mendohet se kanë qenë pjesë e organizatës “Ajnad Misr” (Ushtarët e Egjiptit), të cilët kanë marrë përsipër disa sulme ndaj policisë në Kajro.
Pas rrëzimit të Presidentit islamik, Mohamed Morsi në vitin 2013, xhihadistët kanë kryer sulme të shumta ndaj anëtarëve të forcave të sigurisë, kryesisht në Gadishullin e Sinait, por edhe në Kajro, si dhe në deltën e Nilit. Zyrtarët vendas kanë thënë se me qindra policë dhe ushtarë janë vrarë që nga viti 2013.
Top Channel