Fushata e aktivistëve dhe mbështetësve që kërkojnë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, mori të tjera përmasa pas publikimit të sondazhit më të fundit.
Sipas këtij sondazhi, është thelluar ndjeshëm diferenca mes atyre që kërkojnë shkëputjen nga Brukseli dhe atyre që mbështesin qëndrimin në të.
45 përqind e të anketuarve duan daljen nga BE dhe vetëm 36 përqind qëndrimin në Union. Kjo diferencë prej 9 pikë përqindje mbërrin në një kohë pas marrëveshjes së përkohshme që kryeministri Cameron njoftoi më udhëheqësit e tjerë të BE-së sa i takon çështjes së emigrantëve nga shtetet anëtare dhe sigurimet e tyre.
Një pjesë e analistëve e vlerësojnë këtë rezultat si mungesë e miratimit të kësaj marrëveshjeje, në një kohë që Cameron ka nisur një tur vizitash nëpër vendet anëtare të BE-së për të siguruar mbështetje për rinegociim të një sërë marrëveshjeve.
Sondazhi kujdeset të theksojë se 19 përqind, ose 1 në 5 britanikë janë ende të pavendosur.
Top Channel