Foto/ Gropa ‘përpin’ tre anije në Angli, shpëtojnë mrekullisht dhjetëra persona Arabia Saudite është ofruar për të parën herë të dërgojë trupat tokësore në Siri kundër militantëve të Shtetit Islamik, zotim ky të cilin e shoqëron me kushtin që të ketë mbështetjen e Amerikës.
Një zëdhënës i ushtrisë saudite, gjenerali i brigadës Ahmed Asiri, i tha televizionit Al-Arabija se vendi i tij është i gatshëm të marrë pjesë në çdo operacion në terren që mund të ndërmerret në vendin e munduar nga konflikti i brendshëm 5-vjeçar.
Arabia Saudite, kujtoi ai, është pjesëtare aktive e koalicionit anti-ISIS në Siri që prej vitit 2014 e ka ndërmarrë gati 200 misione nga ajri deri tani. Por fuqia ajrore, e vetme nuk e fiton dot betejën kundër xhihadistëve të dhunshëm të Shtetit Islamik, shtoi ai: “Po të ketë një konsensus nga drejtuesit e koalicionit në Siri, atëherë mbretëria jonë është e gatshme të marrë pjesë në këto përpjekje, sepse jemi të bindur që operacionet nga ajri nuk janë zgjidhja ideale e problemit. Ne mendojmë se një kombinim i bombardimeve me ofensivën tokësore është i domosdoshëm”.
I pyetur gjatë një takimi me gazetarët në Uashington mbi komentet e gjeneralit Asiri, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se në parim, Shtetet e Bashkuara e mirëpresin çdo lloj mbështetjeje ushtarake që aleatët janë të gatshëm të ofrojnë në luftën kundër ISIS-it. Por, duke qenë se ende nuk e kemi parë propozimin saudit, shtoi ai, nuk do të doja të jepja mendim pa e shqyrtuar çështjen.
Shqyrtimi për të cilin flet Kirby, me shumë gjasë do të vijë shpejt, pasi Shtetet e Bashkuara po përgatiten të organizojnë në fund të muajit një mbledhje në Bruksel me ministrat e të gjithë vendeve aleate të angazhuara në luftën kundër ISIS-it. Edhe pse e theksoi në mënyrë të vazhdueshme vendosmërinë për mposhtjen e Shtetit Islamik, gjenerali nuk sqaroi sesa trupa është e gatshme të angazhojë saktësisht Mbretëria Saudite për këtë qëllim.
Top Channel