Kombet e Bashkuara kanë vendosur në favor të themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, i cili kishte apeluar në muajin shtator kundër Suedisë dhe Britanisë për arrestim arbitrar, raporton BBC.
Më herët, Assange kishte deklaruar se mund t’i dorëzohet policisë britanike në Londër ditën e premte në mesditë, në rast se humbet apelin ligjor të depozituar pranë OKB-së.
Australiani depozitoi një ankesë kundër Suedisë dhe Britanisë prane Pallatit të Qelqtë në muajin shtator, e cila është shqyrtuar nga një grupim i OKB-së për arrestimet arbitrare. Organizata do ta botojë vendimin të premten.
Themeluesi i Wikileaks gjendet i strehuar në selinë e ambasadës ekuadoriane në perëndim të Londrës që nga viti 2012 dhe i është dhënë azil politik nga qeveria ekuadaoriane.
Ai kërkohet për t’u marrë në pyetje në Suedi ku akuzohet për sulm seksual ndaj dy grave, akuzë që ai gjithmonë i ka mohuar.
Ai pretendon se, nëse do të shkojë në Suedi do të dorëzohet tek autoritet amerikane për ndjekje penale në lidhje me botimin e kabllogrameve diplomatike amerikane.
Vendimi i OKB-së, nëse konfimohet se do të jetë në favor të Assange, pritet të sjellë zhvillime interesante në rastin e themeluesit të Wikileaks, i cili ka kërkuar dorëzimin e pashaportës.
Vendimi i panelit të ekspertëve ligjorë të OKB-së nuk ka ndikim zyrtar ndaj autoriteteve britanike dhe suedeze dhe Ministria e Jashtme në Londër thotë se ende ka detyrimin për ta ekstraduar zotin Assange.
Top Channel