Paqja e brishtë mes izraelitëve dhe palestinezëve rrezikon të shkatërrohet pas incidentit të fundit të ndodhur në hyrje të Jeruzalemit të Vjetër.
Ushtarët izraelitë qëlluan dhe lanë të vdekur tre palestinezë, të cilët më parë plagosën me thika dy femra, pjesëtare të forcave të sigurisë, njëra prej të cilave në gjendje të rëndë.
Sipas mediave izraelite, incidenti ka ndodhur në atë që njihet si Porta Damasku, njëra prej hyrjeve për në qytetin e vjetër, një zonë historike e Jeruzalemit.
Autoritetet izraelite thonë se tre personave të vrarë u janë gjetur armë zjarri, thika dhe lëndë shpërthyese dhe dyshojnë se po përgatiteshin për një sulm masiv ndaj civilëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë çdo ditë këtë pjesë të Jeruzalemit.
Tre palestinezët e vrarë u identifikuan si Ahmed Rajeh Zakarneh, Mohamed Ahmet Kamil dhe Ahmed Alhelmi, që të tre persona pa asnjë precedent dhune apo prirjeje terroriste.
Incidenti ndodhi pak ditë pas sulmit të armatosur nga ana e një polici të Autoritetit Palestinez, edhe ky i qëlluar për vdekje nga ushtarët izraelitë.
Top Channel