Rreziku i “Brexit”, përparojnë bisedimet mes Cameron dhe Tusk

03/02/2016 20:15

Negociatat ndërmjet David Cameron dhe krerëve më të lartë të Bashkimit Europian, përfshirë presidentin e Këshillit Donald Tusk, kanë përparuar.

Për rrjedhojë, kryeministri britanik e ka mbrojtur në Parlament draftin për të shmangur një “Brexit” të mundshëm, ose, thënë ndryshe, largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga blloku prej 28 vendesh.

Referendumi për daljen ose jo të Britanisë  nga BE do të mbahet deri në fund të vitit 2017. Cameron do t’i shkojë deri në fund premtimit të bërë në zgjedhjet elektorale të 2015-s, se do të jenë vetë britanikët ata që do të zgjedhin nëse duan të jenë pjesë e Unionit.

Por, ditët e fundit ai po lobon fuqishëm që Mbretëria e Bashkuar të mos e lërë bllokun 28-vendësh, pasi sipas kryeministrit,  Bashkimi Europian ka gjetur një rrugë të mesme për plotësimin e kërkesave të Londrës.

Britania kërkon: së pari, që euro të mos jetë e vetmja monedhë e BE-së; së dyti, që konkurrenca të jetë e drejtë dhe pa burokracira në treg; së treti, shkurtimin e përfitimeve ekonomike për emigrantët të cilët kanë më pak se 4 vjet në Britani; dhe sovranitet të parlamenteve të shteteve anëtare, duke shmangur kështu një “bashkim gjithnjë e më të ngushtë” të popujve të Europës.

Por tashmë, Cameron duhet të përballet me euro-skeptikët, të cilët mendojnë se qëndrimi në Bashkimin Europian nënkupton pranimin e rregullave të lojës të hartuara më herët nga vetë Unioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA