Rusia ka vendosur avionë luftarakë “Su-35” në bazën ajrore Hemeimem të Sirisë, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Moskë.
Modeli “Su-35” është avioni luftarak më i avancuar i Rusisë dhe sipas zëdhënësit Igor Konashenkov numri i vendosur në bazën siriane është i konsiderueshëm.
“Duke filluar nga java e kaluar, avionët luftarakë super të manovrueshëm “Su-35” kanë nisur të performojnë në misione luftarake nga baza Hemeimem”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral-major Igor Konashenkov për agjencinë shtetërore të lajmeve “Tass”.
Regjimi sirian ka avancuar së tepërmi pozicionet e tij kundrejt grupeve të rebelëve pikërisht falë mbështetjes vendimtare të Moskës. Në syrin e analistëve bëhet fjalë për avancime që vetëm koha do të tregojë se sa do të zgjasin, por që pa dyshim janë domethënëse.
Rusët kanë kryer thuajse 6 mijë sulme ajrore, pa e vrarë shumë mendjen se kë tjetër kanë goditur përveç grupeve të rebelëve, si dhe kanë vënë në dispozicion artilieri e raketa me rreze të gjatë veprimi, forcat speciale, si dhe kanë dërguar oficerë të lartë ushtarakë si këshilltarë.
Nga ana e tij, Damasku zyrtar ka përdorur forcat speciale, duke u lënë paraushtarakëve të NDF-së detyrën e ruajtjes së kontrollit. Presidenti Assad ka ndërruar së fundmi edhe komandantin e Gardës së Republikës, duke ia besuar kushëririt të tij Talal Makhlouf.
Top Channel